Autor: Abdurr-Rrezzak el-Bedër
Prej formave të shkëlqyera të nderimit të gruas në Islam është mbjellja e
xhelozisë në shpirtrat e muslimanëve për të afërmet e tyre. E kjo është një
virtyt i lartë dhe një cilësi e ndershme që gjendet në zemrën e muslimanit, e
cila e shtyn atë të përkujdeset për të afërmet e tij, t'i ruajë ato, ta mbrojë
nderin e tyre, dhe e bën që t'i ndalojë ato prej zbukurimeve dhe përzierjes me
burra të huaj.
Islami e llogaritë xhihad (luftë e shenjtë në rrugën e All-llahut) mbrojtjen e
nderit dhe xhelozinë për të afërmet, për të cilën gjë derdhet gjaku dhe
flijohet jeta, ndërsa personi i tillë shpërblehet me gradën e shehidit në
xhennet. Transmetohet nga Se'id bin Zejd të ketë thënë:"E kam dëgjuar të
dërguarin e All-llahut të thotë:"Kush vritet duke e mbrojtur pasurinë e
tij është shehid. Kush vritet duke e mbrojtur vetveten e tij është shehid. Kush
vritet duke e mbrojtur fenë e tij është shehid, dhe kush vritet duke e mbrojtur
familjen e tij është shehid". Në një transmetim tjetër: "Kush vritet
duke e mbrojtur nderin e tij është shehid". (Transmeton Ebu Davudi dhe
Tirmidhiu)
Bile, Islami e konsideron xhelozinë prej virtyteve më të larta të imanit
(besimit). Transmeton Mugireh bin Shu'beh se Sa'd bin Ubadeh ka thënë:
"Nëse e shoh një burrë (të huaj) me gruan time, do ta godas me shpatë të
mprehtë". I arrin të dërguarit të All-llahut, salall-llahu alejhi
ves-selam, kjo që ka thënë Sa'di dhe pejgamberi, alejhis-salatu ves-selam,
thotë:"A po çuditeni prej xhelozisë se Sa'dit! Unë jam më xheloz se ai,
ndërsa All-llahu është më xheloz se unë, dhe, për shkak të xhelozisë së
All-llahut, janë bërë haram të këqijat e dukshme dhe të fshehta"
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i All-llahut, alejhis-salatu ves-selam, ka
thënë:"Me të vërtetë, All-llahu xhelozon, por edhe muslimani xhelozon.
Prej gjërave që e bëjnë All-llahun të xhelozojë është që muslimani të veprojë
atë që All-llahu ia ka ndaluar atij". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
E kundërta e xhelozit është dejjuthi. Dejjuthi është ai, i cili e miraton të
keqen në familje të vet dhe nuk ka xhelozi për ata, kurse në Islam ka ardhur
një kërcënim i ashpër për këtë lloj të njerëzve. Transmeton Abdull-llah bin
Omeri se i dërguari i All-llahut, sall-llahu alejhi ves-selem, ka thënë:
"Tre lloje të njerëzve All-llahu az-ze ve xhel nuk do t'i shikojë Ditën e
Gjykimit: atë që nuk i respekton prindërit, një grua që i përngjanë burrave dhe
dejjuthin." (Transmeton Ahmedi)
Historia është përplot shembuj, të cilët rrëfejnë për xhelozinë dhe
përkujdesjen e madhe që kanë pasur muslimanët për të afërmet e tyre. Prej
këtyre shembujve të çuditshëm është edhe rasti, të cilin e ka cekur
Ibnul-Xhevzij, në librin e tij El-Muntedham: "Thotë Muhammed bin Musa
el-Kadij: 'Kam prezantuar në një seancë gjyqësore të gjykatësit Musa bin Is'hak
el-Kadij, në qytetin Rejj, në vitin 286h. Një grua dhe i afërmi i saj kishin
ardhur te gjykatësi. I afërmi i gruas pretendonte se burri i kësaj gruaje i
kishte premtuar asaj për mehër (dhuratë nusërie) pesëqind dinarë, mirëpo burri
refuzonte një gjë të tillë. Atëherë, gjykatësi i drejtohet të afërmit të gruas:
'A ke dëshmitarë për një gjë të tillë?' Ai thotë: 'Po, ata janë prezentë.'
Gjykatësi e thërret njërin prej dëshmitarëve që ta shohë gruan për të cilën
dëshmon. Ai afrohet dhe kërkon prej gruas që ta zbulojë fytyrën, ashtu që të
dijë se për kë po dëshmon. Burri thotë: 'Çka po veproni?' Gjykatësi i shpjegon
atij se gruaja duhet ta zbulojë fytyrën, ashtu që dëshmitari ta dijë se për kë
po dëshmon. Kur dëgjon këto fjalë, burri thotë: 'Dëshmoj para gjykatësit se unë
ia jap asaj atë mehër që kërkon prej meje, por mos ta zbulojë fytyrën'.
Informohet gruaja për atë që ka thënë burri dhe thotë: 'Dëshmoj para gjykatësit
se unë ia dhuroj atij këtë mehër dhe ia fali atë në këtë botë dhe në ahiret.'
Atëherë, gjykatësi tha: 'Le të shkruhet kjo prej virtyteve të larta të
moralit.'" (El-Muntedham i Ibën Xhevziut)
Po, le të shkruhet ky rast si dëshmi për një moral të lartë, etikë të ndershme
dhe edukatë madhështore. E, ku është ky realitet prej atij që për të afërmet e
tij nuk ka fare interesim dhe që nuk ndien asgjë për ato nga këto virtyte të
larta dhe cilësi të ndershme.